OST tender rreth 5 mln euro për linjën e re 110 kV Sarandë–Xarrë
Projekti parashikon rreth 20 km linjë të re dhe zgjerimin e infrastrukturës në nënstacionin e Sarandës.
Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST) synon të ndërtojë një linjë të re 110 kV në jug të vendit. Këtë të enjte, operatori njoftoi procedurën me fond limit 497.59 milionë lekë, apo rreth 5 milionë euro, që ka në fokus pikërisht këtë linjë dhe infrastrukturën përkatëse në nënstacionin e Sarandës.
Projekti parashikon ndërtimin e linjës me shtylla dopio qark, ndërsa përcjellësi do të shtrihet fillimisht në një qark. Sipas specifikimeve teknike, si linja ashtu edhe traseja e saj do të jenë të reja. Në segmentin ajror do të përdoret përcjellës ACSR 240/40 mm², ndërsa mbrojtja nga shkarkimet atmosferike dhe komunikimi do të realizohen me tros optik OPGW.
Rreth 20 kilometra linjë e re në jug të vendit
Segmenti ajror i linjës është parashikuar të shtrihet për rreth 20 kilometra në jug të Shqipërisë, në zonën midis Sarandës dhe Konispolit. Dokumentet e tenderit e përshkruajnë terrenin si kodrinor, shkëmbor dhe fushor. Traseja e paraqitur në dokumentacion është paraprake dhe kontraktori fitues do të duhet të kryejë rilevimin përfundimtar topografik përpara miratimit të projektit final.
Hyrja e linjës në nënstacionin e Sarandës është planifikuar të realizohet nëntokë me kabllo XLPE prej alumini me seksion 1,000 mm². Kontrata përfshin gjithashtu ndërtimin e traktit të ri të linjës në nënstacion dhe hyrjen kabllore 110 kV.
Nënstacioni i Sarandës do të zgjerohet me një trakt të tretë dalës
Në nënstacionin e Sarandës, projekti përfshin një trakt të tretë dalës 110 kV, me pajisje të reja të tensionit të lartë, përfshirë çelësin 110 kV, ndarësit, transformatorët e rrymës dhe tensionit, terminalet, si dhe panelet e komandimit dhe mbrojtjes.
Procedura është konceptuar si një kontratë “me çelësa në dorë”. Kompania fituese do të mbulojë projektimin, prodhimin dhe furnizimin e pajisjeve, instalimin, testimet dhe k
komisionimin e linjës dhe impianteve përkatëse.
Tenderi zgjeron infrastrukturën 110 kV të OST-së në zonën Sarandë–Xarrë, ndërsa konfigurimi me shtylla dopio qark parashikohet që në fazën e ndërtimit, megjithëse në këtë kontratë do të montohet vetëm një qark.